Lajme

Rama: Hashim Thaçin e kam si vëlla e takova në Hagë se më kishte marrë malli

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Endrit Thaçi djali i Hashim Thaçit

“Do ta takojë se më ka marrë malli. E kam si vëlla Hashimin”- kështu ka shkruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në formularin e Gjykatës Speciale në Hagë gjatë vizitës që ia bëri ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ku ditën e hënë do të mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Rama ka takuar edhe familjen e Thaçit në Burojë.

Rama i dha mesazhe familjes së Thaçit nga vizita që i kishte bërë në Hagë.

“Hashimi ishte shumë mirë, si me shëndet, por edhe me humor. Lexonte shumë, por edhe stërvitej. Te formulari para se të futesha, shkrova: Do ta takojë se më ka marrë malli. E kam si vëlla Hashimin”, u shpreh Rama.

Më herët, kryeministri Rama inspektoi punimet në 2 sipërmarrje në Kosovë.

Gjatë inspektimit në një fabrikë mielli, Rama dha lajmin se tarifat doganore të Shqipërisë me Kosovën do të hiqen, duke filluar me ato bujqësore.

Qeveria e Kosovës së bashku me atë të Shqipërisë do të mbajnë të hënën mbledhjen e tetë të përbashkët.

Sipas agjendës, në këtë takim pritet të nënshkruhen disa marrëveshje.

Hapja e sesionit plenar të mbledhjes do të nis në orën 11:15, ku ministrave fillimisht do tu drejtohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pas tij edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Pas kësaj do të bëhet prezantim mbi infrastrukturën portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Këto projekte do të prezantohen nga drejtori i Royal Haskoning DHV, Eric Smit.

Deri më tani janë nënshkruar mbi 100 marrëveshje mes dy shteteve.

Mbledhja e fundit e qeverive Kosovë-Shqipëri u mbajt më 26 nëntor 2021, e cila përfundoi me firmosjen e 13 marrëveshjeve./Shqip.com