Rozë Ndërkombëtar

R. Kelly dënohet me 30 vjet burg lidhur me akuzat për abuzim seksual

R Kelly

R. Kelly është dënuar me 30 vjet burg, pasi u shpall fajtor për shantazh dhe trafik seksual në gjyqin që zgjati gjashtë javë.

Gjyqtarja Ann Donnelly vendosi dënimin ndaj këngëtarit pas një seancës së të mërkurës, ndërsa muzikanti nuk iu drejtua gjykatës gjatë seancës.

Viktimat u mbajtën për dore derisa lexohej dënimi dhe Kelly nuk pati asnjë reagim të dukshëm. Shtatë nga viktimat e Robert Sylvester Kelly dhanë deklarata gjatë seancës dëgjimore.

Autori i hitit “I Believe I Can Fly” u dënua për akuzën për shantazh, duke përfshirë 14 akte themelore të shfrytëzimit seksual të një fëmije, rrëmbim, ryshfet dhe akuza për trafikim seksual.

R. Kelly u dënua gjithashtu për tetë shkelje të ligjit që e bën të paligjshëm transportin e njerëzve nëpër linjat shtetërore për “qëllime imorale”.

Kelly ka qenë në paraburgim që kur u padit nga prokurorët federalë në Nju Jork dhe Çikago në korrik 2019.

Tre vitet e tij pas hekurave kanë qenë plot ngjarje, duke përfshirë një rrahje nga një koleg i burgosur në vitin 2020 dhe një përballje me Covid-19 në fillim të këtij viti.

Këngëtari përballet me veprime të mëtejshme ligjore në gusht, kur del sërish në gjyq, këtë herë në Çikago për imazhe seksuale me fëmijë dhe akuza për pengim.

Ai gjithashtu do të përballet me akuza për abuzim seksual në gjykatat në Illinois dhe Minesota./SHQIP.com