Lajme

Qeveria plotëson vendimin për strehimin e afganëve në Kosovë

Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka zgjeruar listën e saj  e kategorive të personave afganë që do të strehohen në Kosovë.

Kjo është vendosur në mbledhjen e 28’të të Qeverisë së Kosovës, e cila është mbajtur virtualisht.

“Sipas vendimit të miratuar sot, përpos personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), përfshirë familjarët e këtyre dy grupeve”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës të hënën në mbrëmje ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo pasi raportohet të jenë të përndjekur nga grupi militant, talebanët – të cilët tashmë Afganistanin e “kanë në dorë”, pushtetin e kanë marrë.

Për këtë, SHBA ka kërkuar nga disa shtete që t’i strehojë disa nga bashkëpunëtorët afganë gjatë periudhës sa vizat e tyre janë në proces e sipër. /Shqip.com