Lajme

Qeveria e Serbisë shpërndan doracakun se si do të mbulohen simbolet e Kosovës në targa

Pika kufitare

Policët dhe doganierët serbë në pikat kufitare me Kosovën, janë pajisur me doracakun se si duhet të mbulohen simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës në targa të veturave, transmeton Shqip.com.

Doracaku me të cilin janë pajisur këtë të diel doganierët serbë nga Qeveria e Serbisë, është bërë tashmë publik nëpërmjet fotografive të publikuar nga ‘Klan Kosova’, ku tregohet se si duket ai.

Vendimi për mbulimin e simboleve në targat e të dyja vendeve, kur automjetet hynë në territorin e vendit tjetër, hyn në fuqi të hënën e 4 tetorit.

Ndërkaq, të shtunën e 2 tetorit janë larguar barrikadat në dy pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Jarinje dhe Bërnjak.

Që nga 20 shtatori këto dy pika kufitare ishin bllokuar nga serbët lokalë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhet të heqin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.

Megjithatë, delegacionet e dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut, sipas së cilës nga 2 tetori u larguan barrikadat dhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës – ku u vendosën trupat e KFOR-it.

Pika dy e kësaj marrëveshjeje parasheh që nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme.

Kështu do të duket mbulimi i simboleve të Kosovës dhe e njëjta vlen edhe anasjelltas:

Doracaku i Policisë dhe doganierëve serbë për mbulimin e simboleve në targat e Republikës së Kosovës