Lajme Botë

Putin tregon se Rusia e ka ndërmend t’i njoh si territore të pavarura dy krahinat separatiste – Donetsk dhe Luhansk.

Vladimir Putin

Rusia e ka ndërmend të njohë pavarësinë e rajoneve separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore – Donetsk dhe Luhansk.

Kështu është bërë e ditur nga një njoftim në faqen e Kremlinit zyrtar, ku është njoftuar për bisedat e Putin me presidentin francez dhe kancelarin gjerman pas Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse.

“Vladimir Putin ka informuar rreth rezultateve në takimin e Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse dhe zhvillimin aktuale që Duma (parlamenti rus) ka vendosur ta njohë pavarësinë e Republikave Popullore të Donetsk dhe Luhansk”, thuhet në njoftim.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, kanë shprehur dëshpërimin e tyre me këtë zhvillim.

“Në të njëjtën kohë, kanë dhënë indikacione se janë gati për ta vazhduar komunikimin”, vazhdon njoftimi.

Deklarata e Putin-it vjen pas deklaratave televizive të liderëve separatistë, të cilët iu lutën presidentit rus t’i njohë ato si shtete të pavarura. Dhoma e ulët e Rusisë bëri të njëjtën kërkesë javën e kaluar.

“Udhëheqësit francezë dhe gjermanë shprehën zhgënjim pasi dëgjuan vendimin”, u tha nga Kremlini zyrtar.

Rusia i ka kontrolluar dhe armatosur të dyja rajonet që nga shpërthimi i luftimeve në Ukrainën juglindore pas një revolucioni në Kiev në vitin 2014.

Ukraina ka thënë se do të kundërshtojë çdo vendim të Rusisë për të njohur pavarësinë e territoreve dhe do ta njohë këtë veprim si një vendim rus për të dalë nga marrëveshjet e Minskut, marrëveshja e paqes e nënshkruar në vitin 2015 që duket pranë kolapsit.