Pse na fryhet së tepërmi barku?
Fryrja e stomakut pas ngrënies mund të shtojë disa centimetra në belin tuaj, t’ju bëjë të ndiheni mëse të ngopur ose të shkaktojë shqetësime të vogla në bark.
Kjo është një dukuri e zakonshme që ndodh në disa raste, por nëse keni fryrje sa herë që hani, duhet të lini një takim me mjekun tuaj.
Ushqimet që formojnë gazra
Fryrja ndodh si rezultat i gazit të bllokuar në stomak dhe në zorrët tuaja.
Pasi hani, ushqimi juaj tretet në stomak dhe kalon më pas në zorrë.
Aty enzimat shpërbëjnë proteinat, karbohidratet dhe sheqernat e ushqimit për ta përdorur atë për energji për trupin tuaj.
Ka disa ushqime që janë më të vështira për t’u tretur dhe mund të shkaktojnë gazra të tepërta në sistemin e tretjes duke shkaktuar fryrje.
Ushqimet e zakonshme që luajnë rol në formimin e gazrave përfshijnë lulelakrën, pijet e gazuara, fasulet, lakrën, brokolin, ëmbëlsirat, frutat dhe perimet.
Por mund të jetë gjithashtu si rezultat i gëlltitjes së ajrit gjatë të ngrënit me shpejtësi ose nga përtypja e çamçakëzit.
Një nga simptomat kryesore të intolerancës ushqimore është fryrja. Intoleranca ushqimore ndodh kur trupit tuaj i mungojnë enzimat e duhura për të zbërthyer proteinat ose sheqernat.
Pjesa e patretur e ushqimit mund të shkaktojë ndërveprim me bakteret e padëmshme në zorrën e trashë dhe të shkaktojë gazra, fryrje, diarre, të përziera ose të vjella.
Intolerancat e zakonshme ushqimore shkaktohen nga sheqeri që gjendet në qumësht, gluteni, fruktoza, histamina dhe përbërës të tjerë ushqimorë.
Sindroma e zorrës së irrituar
Nëse keni fryrje pa marrë parasysh se çfarë hani, ju mund të keni një problem kronik të tretjes të quajtur sindroma e zorrës së irrituar.
Simptomat më të zakonshme janë fryrje barku, dhimbje stomaku, ngërçe, diarre kronike ose kapsllëk.
Për të parandaluar simptomat këshillohet të ndryshoni mënyrën e të ushqyerit dhe të largoni stresin.
Shkaqe të tjera
Shkaqe të tjera të zakonshme përfshijnë kapsllëkun, refluksin gastroezofageal, rritjen e tepërt të baktereve në zorrë, shtimin në peshë, kancerin ovarian dhe tumoret.
Përpara se të përpiqeni të trajtoni vetë simptomat tuaja këshillohet të kryeni një kontroll mjekësor.
/Shqip.com