Protestë para SPAK/ Kundër ndërtimit të resortit në Lezhë: Biznesmeni Bashkim Ulaj po na grabit tokat!

Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës e kanë zhvendosur protestën e tyre para SPAK, ku kundërshtojnë ndërtimin e resortit luksoz të biznesmenit, Bashkim Ulaj.
Banorët kanë protestuar në fshatin Rrjoll, por sot janë zhvendosur para SPAK, aty ku kanë dorëzuar edhe një kallëzim kundër, Bashkim Ulajt, të cilin e akuzojnë se po u grabit pronat.
“Unë i kam me dokumente, i kam sjellë në SPAK. I kam çuar në gjykata, të gjithë më thonë si ke. I ka marrë i forti, si kanë për të mi dhënë mua. Bashkim Ulaj s’ka shans me u fut aty. Ne s’kemi ardhur të bëjmë luftë, s’kemi asnjë interesi të konfrontohemi me policë, kemi ardhur për transparencë për ti treguar shtetit shqiptar se çfarë kriminelësh ka këtu. Për fshatarët nuk ka bashki, ka bashki për ata që punojnë në institucione shtetërore, Shpellzaj ka punuar në bashki. Në 2020 na ka informuar Avokatura e Shtetit, pasi i ka marrë pronat Shpellzaj, kur shkuam ne me i marrë. Ca pronash, i ka marrë ai i forti”, tha një prej protestuesve.
Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni, Bashkim Ulaj, me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” nga “Gener 2” “Aba Blue Borgo”, sh.p.k.
Ky fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.
Po ashtu, kompania Gener 2 ka marrë me koncesion dhe segmentin Thumanë-Milot, aks me pagesë dhe tarifën e vjel kompania e Ulajt.
/Shqip.com