Lajme

Protestë jashtë dhe debat në Kuvend/ Skenarët e aksionit opozitar sot gjatë seancës

Opozita ka thirrur sot një protestë që do e zhvillojë para Parlamentit, në një kohë që do të nisë seanca plenare.

Protesta është njoftuar se do të nisë në orën 10:00, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë disa masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit.

SEANCA PLENARE

Paralelisht me protestën jashtë, Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenare, ku në rend të ditës është mes të tjerash projektligji që i hap rrugën pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik të Poliçanit, ndërsa pritet të votohen dhe ngritja e dy komisioneve, ai për dezinformimin dhe kundër korrupsionit.

Kuvendi parashikon të diskutojë 13 pika në rendin e ditës, mes të cilave 5 janë projektligje.

Më tej, sipas rendit të ditës, Kuvendi do të diskutojë një seri marrëveshjesh siç është dhe ajo e miqësisë me Ukrainën.


Masat e policisë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi që do të zhvillohet ditën e nesërme, përpara Parlamentit, në orën 10:00.

Në zbatim të planit të masave, në orën 08:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin “Zhan D’Ark” dhe rrugën “Xhorxh Bush”. Drejtuesit e automjeteve, ato të transportit publik, si dhe këmbësorët gjithashtu, të shmangin këto rrugë dhe të përdorin rrugë alternative.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit, sipas përcaktimeve ligjore dhe përsërit thirrjen për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune, pasi nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

/Shqip.com