Protesta e opozitës pa drejtuesit kryesorë, pse mungojnë Meta dhe Kryemadhi?
Nën moton “O sot, o kurrë” dhe me pankarta në duar kundër qeverisë ‘Rama’ ka nisur protesta e opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Por ajo që bie në sy është mungesa e drejtuesve të opozitës. E ndërsa Sali Berisha ndodhet me arrest shtëpie, në protestë bie në sy mungesa e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së Endrit Brahimllari ka justifikuar mungesën e tyre me agjendën e planifikuar muaj më parë. “Për shkak të një agjende që është jashtë vendit, ka patur një angazhim muaj më parë. Edhe Monika është bashkë me Metën, por në protestë janë të gjithë drejtuesit e tjerë të PL-së”, u justifikua Brahimllari.
Por kjo nuk është hera e parë që Meta nuk bashkërendon veprimet e tij me Rithemelimin. Edhe në në protestat e përditshme poshtë shtëpisë së Sali Berishës ai nuk është shfaqur asnjëherë.
Ndërkohë që sa i takon fjalimeve që do të mbahen në protestën e sotme, ato do të kenë disa protagonistë, nga Sali Berisha, i cili do t’i drejtohet mbështetësve me një fjalim nga ballkoni i tij, te Gazment Bardhi dhe Flamur Noka.
/Shqip.com