Lajme

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj dy personave, dyshohet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit mbi 2 milionë euro

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve, L.G. dhe K.SH, pasi që dyshohet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej dy milionë e 778 mijë eurosh, përcjell Shqip.com.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri, L.G., akuzohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”,”hyrja në sistemet kompjuterike”,”vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “shpërlarje e parave”.

Paratë (foto ilustruese)

Kurse, ndaj të pandehurit, K.SH., ështëq ngritur aktakuza për veprat penale “Shpërlarje e parasë” dhe veprën “ndihma” në ndërlidhje me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Prokuroria Speciale ju njofton se si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve L.G dhe K.SH, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej dy milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë cent (2,077,995.90) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, Prokuroria njofton se ka kërkuar konfiskimin e katër veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti criminal.

“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar Buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, njofton më tej Prokuroria./SHQIP.com