Lajme

Prokuroria në Serbi deklaron se Radoiçiqi bleu armët në Bosnje e i dërgoi në Kosovë, kundërshtohet nga Sarajeva

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë – fshat në pjesën veriore të Kosovës.

Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se bashkë me disa persona – tash për tash të panjohur – kanë kryer vepra penale të bashkimit, me qëllim të kryerjes së veprave penale: “prodhim, mbajtje dhe trafikim i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.

Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.

Por, një konstatim i tillë është kundërshtuar në Bosnjë e Hercegovinë.

Ministri i Brendshëm, Ramo Isak, tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës”, që lidhet me rastin e Millan Radoiçiqit.

E kontaktuar nga REL-i, edhe Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzllës tha se “nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë informacion” për armët në këtë qytet të Bosnjës.

Kurse, Administrata Federale e Policisë tha për REL-in se do të “ndërmarrë aktivitete në lidhje me verifikimin e pretendimeve se Millan Radoiçiq ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla nga janari 2023 deri më 24 shtator. Në mëngjes do të kërkojmë nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të na japin informacionin në dispozicion”.

/Shqip.com