Lajme

Smith: Ekziston një grup i vogël i fuqishëm njerëzish në Kosovë që nuk duan të ekzistojë Gjykata Speciale

Prokurori i Specializuar

Prokurori i Specializuar i Gjykatës Speciale, Xhek Smith, tha se ekziston një grup i vogël por i fuqishëm njerëzish në Kosovë që nuk duan që kjo gjykatë të ekzistojë, përcjell Shqip.com.

Përmes një komunikate për media, thuhet se ky grup do të bëjnë çdo gjë për ta dëmtuar atë në një përpjekje të kotë për të shpëtuar një përshkrim të rremë se asnjë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë nuk kreu krime gjatë luftës.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj gjatë seancave gjyqësore.

Sipas tij, dy të akuzuarit, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, i përkasin këtij grupi dhe denigrojnë këdo që bashkëpunon me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ZPS-në duke i quajtur “spiunë”, ”bashkëpunëtorë” dhe “tradhtarë” që kanë “tradhëtuar” bashkëpatriotët e tyre.

“Prokurori i Specializuar theksoi se Dhomat e Specializuara duhet të jenë një gjykatë që e vë fokusin tek viktimat dhe një pjesë e arsyes pse ajo u krijua, dhe pse e ka selinë në Hagë, është klima e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procese që ekziston në çështjet gjyqësore penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Lexo edhe:
Gruaja e Nasim Haradinajt: Atë e rrëmbyen, nëse ka drejtësi nuk do të dënohet

Smith deklaroi se kjo klimë ka pasur efekt në të kalurën duke parandaluar dëshmitarët që të vinin në Gjykatë dhe të thonin atë që ata dinin për “krimet e UÇK-së”.

“Të akuzuarit e njohin mirë këtë histori dhe shpresuan që të përdornin të njëjtën strategji këtu për të frikësuar dëshmitarët sepse kjo kishte pasur efekt në të shkuarën”, shtoi ai.

Tutje, sipas tij Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë aftësinë për të ofruar drejtësi “për shumë viktima në Kosovë”.

“Arsyeja pse e ka këtë fuqi është se ajo përbën një vend të sigurt për dëshmitarët që të flasin hapur për krimet që panë, krimet prej të cilave vuajtën vetë, krimet prej të cilave panë të vuajnë anëtarët e familjeve të tyre. Dhe çka është më vendimtare, ajo përbën një vend ku ata mund ta bëjnë këtë pa pasur frikë nga hakmarrja dhe ndëshkimi”, deklaroi ai.

Lexo edhe:
Prokurori: Sjellja e Gucatit dhe Haradinajt tregon motivin për të penguar procedurat

ZPS-ja do të fillojë paraqitjen e provave në çështjen gjyqësore ndaj Gucatit dhe Haradinaj duke filluar nga e hëna.

Më 25 shtator të vitit 2020, nga Specialja ishin arrestuar krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Gucati e Haradinaj publikonin dokumente të klasifikuara të Gjykatës dhe ato ua kalonin mediave, pasi një person, ende i paidentifikuar, ua linte fshehurazi tek dera e organizatës./SHQIP.com