Kulturë

Program 30-ditor për shënimin e Ditës së Pavarësisë dhe Epopesë së UÇK-së

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, kanë prezantuar agjendën për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 5, 6, 7 mars.

Siç ka njoftuar EO, Bislimi tha se këto aktivitete do të zgjasin për 30 ditë.

Në konferencë për media, Çeku ka thënë se programi do të fillojë nga 9 shkurti dhe do të zgjasë deri më 12 mars.

“Në këto 30 ditë aktivitete do të ketë homazhe, nderime, parakalim të FSK-së, turne e kampionate në sport, aktivitete muzikore, ekspozita, shfaqje filmi, teatri e baleti, promovime librash, gara shkollore e sesione librash. Do të ketë edhe pritje zyrtare”, ka thënë Çeku.

Çeku tha se do të ketë edhe pritje zyrtare në Kosovë.

“Programi është 30 ditor, ku çdo ditë do të ketë aktivitet për shënimin e këtyre datave. Gjithashtu do të ketë pritje zyrtare në Kosovë. Programi total i përgjithshëm është i përmbledhur në një faqe prezantim. Dita e 17 shkurtit, pra 15 vjetori të pavarësisë në orën 08:00 mbledhja festive e Qeverisë. Në orën 11:00 mbahet seanca festive e Kuvendit. Parakalimi do të mbahet më 17 shkurt në orën 12:00 në sheshet qendrore”, tha Çeku.

Bislimi ka thënë se programi për këto dy data shumë të rëndësishme për Kosovën është hartuar nga grupi punues i përbërë nga Çeku si përgjegjës kryesor, ndërsa anëtarë janë edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla; ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci; ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj; ministri i Financave, Hekuran Murati; ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla; gjeneralmajor Bashkim Jashari; drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj; dhe përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta, Muhamet Bilalli.

/Shqip.com