Ekonomi Biznes

Prezantohet “Draft Strategjia për Zhvillimin Industrial dhe Mbështetjen e Bizneseve 2030”

Në Prishtinë, të shtunën është prezantuar “Draft Strategjia për Zhvillimin Industrial dhe Mbështetjen e Bizneseve 2030”.


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar për rëndësinë e politikës industriale në botën e industrializuar për të lehtësuar tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër dhe digjitale, si dhe për të forcuar zhvillimin e industrive me rëndësi strategjike për vendet përkatëse.


“Ajo theksoi rëndësinë e procesit njëvjeçar të hartimit të politikës industriale kombëtare, e dedikuar për të mbështetur sektorin e prodhimit dhe për të shpalosur atë potencial për arritjen e një transformimi strukturor të ekonomisë kombëtare. Për të kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të vendit në mënyrë më efektive, Ministrja Hajdari shtoi se çdo transformim strukturor i dëshiruar kërkon ndërhyrje te rëndësishme dhe të përshtatur mirë të Qeverisë, të përqendruar në një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me sektorin privat”, thuhet në njoftim.


Ndërsa, Drejtorja e Departamentit të Industrisë, Valbona Dushi, prezantoi në detaje objektivat, nën objektivat dhe masat kryesore të politikës industriale, për zgjerimin e prodhimit industrial, reduktimin e deficitit tregtar industrial, gjenerimin e punësimit gjithëpërfshirës dhe më të mirë, lehtësimin e industrisë qarkore dhe të gjelbër si dhe maksimizimin e vlerës shtesë vendore.

/Shqip.com