Presidentja Osmani kërkon përfshirjen e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në selinë e NATO-s, është pritur
në takim nga Admirali Rob Bauer, Kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Në takim u diskutua për kontributin e jashtëzakonshëm të NATO-s për lirinë dhe
sigurinë e vendit tonë, thellimin e bashkëpunimit Kosovë-NATO, si dhe koordinimin
ndërmjet institucioneve te sigurisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.
Presidentja shprehu mirënjohjen e thellë për përkushtimin e grave dhe burrave nga forcat aleate për
ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në vend e rajon, përfshirë
edhe sulmet e vazhdueshme nga grupet kriminale serbe në veri të vendit kundër
forcave të NATO-s, Policisë së Kosovës, qytetarëve e gazetarëve, me ç’rast,
Presidentja theksoi se sfidat e sigurisë nuk janë asnjëherë individuale, por përgjegjësi
kolektive.
Në këtë frymë, Presidentja nënvizoi se Republika e Kosovës, si partnere e
përkushtuar e NATO-s, do të vazhdojë të punojë ngushtë me aleatë për t’i adresuar
bashkërisht sfidat e sigurisë, si dhe për ta promovuar paqen dhe sigurinë.
Presidentja Osmani foli edhe për vendosmërinë e palëkundur të Kosovës për
anëtarësim në NATO, dhe përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqe, duke
nënvizuar nevojën për kreativitet dhe fleksibilitet për ta lehtësuar integrimin
e plotë në NATO.
/Shqip.com