Sport Shqiptar

Ponte Prizreni i jep fund serisë së Pejës

Pas tetë fitoreve rresht në Superligë dhe një në Ligën Ballkanike, Peja ka pësuar humbje. Peja të enjten mbrëma në “Karagaçin” thuajse të mbushur, u mposht nga Ponte Prizreni me rezultatin 81:75, shkruan FB, përcjell Shqip.com.

Ishte ndeshja hapëse e Ligës Unike në basketboll. Peja është llogaritur favorite e madhe, por prizrenasit kanë festuar në fund. Për Ponte Prizrenin ishte ndeshja e parë pas disa javësh.

Dachon Burke e ka udhëhequr skuadrën prizrenase. Ai ndeshjen e përfundoi me 33 pikë e tetë kërcime. Urim Zenelaj i kishte shtatë pikë e dhjetë kërcime, ndërsa Wayne Arnold i kishte 15 pikë. Ivan Koleviq shtoi 14 pikë.

Jalen Tate ishte më i miri te Peja me 13 pikë e gjashtë kërcime. Rodney Purvis i shënoi 14 pikë, ndërsa Arti Hajdari ndeshjen e përfundoi me 13 pikë e katër kërcime. Alban Veseli shtoi 12 pikë e pesë kërcime.

Ende nuk është përcaktuar orari i ndeshjeve tjera në Ligën Unike. Skuadrat nga Kosova janë përcaktuar shumë më herët, ndërsa janë paraqitur edhe emrat e skuadrave nga Shqipëria. Por në sajtin zyrtar nuk ka ende orar të publikuar të ndeshjeve dhe kjo e zbeh Ligën Unike që në nismë.

/Shqip.com