Lajme

Policia në Ferizaj me aksion të koduar për shoferët që përdorin telefonin gjatë vozitjes

Sot Policia në Ferizaj, ka nisur një aksion të koduar të cilët identifikojnë shoferët që përdorin telefonin gjatë ngasjes.

Ky aksion po realizohet në bashkëpunim me Policinë në rroba civile dhe atyre me uniformë.

Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, ky aksion zhvillohet në atë mënyrë që një patrullë e policisë me rroba civile, në lokacione të ndryshme identifikon shoferët të cilët përdorin telefonin gjatë drejtimit të automjetit dhe lajmëron patrullën policore e cila është me uniformë.

PK-ja njofton se ky aksion do të vazhdoj edhe në ditët në vazhdim.

“Ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe ka synimin që të parandalohen aksidentet në komunikacionin rrugor, ngaqë kundërvajtjet e tilla shpeshherë kanë shkaktuar edhe aksidente”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Sipas ligjeve në fuqi, shoferëve nuk iu lejohet përdorimi i telefonit mobil dhe as i pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të automjetit.

Megjithatë, këto pajisje mund të shfrytëzohen gjatë drejtimit të mjetit nëse përdorimi i tyre bëhet pa i mbajtur me dorë.

Kurse, gjoba për këtë kundërvajtje është në vlerë të 40 eurove./Shqip.com