Lajme

Policia ka kapacitet të garantojë për të akuzuarit e Speciales

Ish-krerët e UÇK-së

Policia e Kosovës ka performancën dhe kapacitetet e nevojshme të garantojë mbrojtjen në liri për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Hagë, thotë eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Gjykata Speciale ka kërkuar përgjigje nga PK-ja nëse mund të sigurojë lirimin e tyre nga paraburgimi ose jo.

Institucioni i zbatimit të ligjit në Kosovë ka afat dy javë që t’i përgjigjet kësaj kërkese, thuhet në urdhrin e Dhomave të Specializuara.

Sipas Ibishit, Policia e Kosovës e ka obligim të garantojë në bazë të rregullave.

“Policia ka performancën dhe kapacitetet e nevojshme për ta kryer një detyrë të tillë. Është obligim i institucioneve të Kosovës, në këtë rast policisë, për të marrë këtë përgjegjësi”, tha ai në një prononcim për Shqip.com.

I pyetur nëse PK-ja i kthen përgjigje pozitive Speciales, por dështon ta realizojë këtë detyrë me përgjegjësi të plotë, Ibishi tha se “s’ka mundësi”.

Sipas tij, ka ndodhur që kriminelët serbë t’i ikin drejtësisë, por në Kosovë s’ka pasur raste të tilla.

“Asnjëherë nuk ka ndodhur deri tani. Ka ndodhur te kriminelët serbë që të arratisen, por në Kosovë asnjëherë s’ka ndodhur që dikush t’i ikë drejtësisë”.

Ish-deputeti i LDK-së ftohet për intervistim nga Gjykata Speciale - Sinjali
Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë

22 tetori është afati i fundit kur policia duhet të kthejë përgjigje. Por, akoma nuk dihet se cila do të jetë ajo.

Shqip.com ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës, por përgjigje nuk ka pasur.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i saj, Samedin Mehmeti, ka refuzuar të përgjigjet të martën në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, pasi është pyetur nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi.

Mehmeti kërkuar “të kursehet” nga pyetjet që lidhen me këtë çështje, pavarësisht insistimit të Mehmeti-Selimit për të marrë përgjigje.

“Besoj që opinioni publik tashmë e di që na është bërë kërkesa nga avokatët mbrojtës. Ne kemi dërguar kapacitetin dhe aftësinë tonë rreth mundësisë për me siguruar lirinë me kusht. Ndërsa sa i përket pyetjes së Dhomave të Specializuara, kisha pas dëshirë të në kurseni dhe këtë pyetje të ua bëni atyre”, është shprehur ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmet

Refuzimin e tij për t’u përgjigjur e vlerëson si të drejtë Ehat Miftaraj nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Kjo pasi sipas tij, në këtë mënyrë ruhet integriteti i policisë dhe procesit gjyqësor që zhvillohet në Hagë.

“Kjo për faktin se nuk mund të konsiderohet profesionale dhe as në frymën e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe Gjykatës Speciale që informatat e kërkuara nga Gjykata të dalin në publik pa dërguar përgjigjet në mënyrë zyrtare”.

Ndërsa, shton se një qasje e tillë do të mund të kishte edhe kundër efekt edhe në raport me vetë të akuzuarit në Hagë.

Në fund, theksoi se “Drejtori i Policisë ka pranuar një kërkesë nga Gjykata Speciale përmes rrugëve zyrtare ndaj të cilës duhet të përgjigjet brenda afatit të caktuar nga vet Gjykata”.

Ehat Miftaraj ia numëron pozitat kryesuesit të ri të Këshillit Gjyqësor,  Albert Zogajt – InfoDaspora.ch
Ehat Miftaraj nga KDI

Në fillim të nëntorit bëhet një vit prej kur Gjykata Speciale ka arrestuar katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Ata vazhdojnë të mbahen në paraburgim pasi Specialja konsideron se akoma ekzistojnë rreziqet që të njëjtit t’i ikin gjykatës ose të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale.

Ata akuzohen për krime lufte, akuza këto të hedhura poshtë nga katër krerët e UÇK-së./SHQIP.com