Lajme Botë

Policia indiane arreston 28 të dyshuar për përdhunim në grup të një 15-vjeçarje

Burgu indian

Autoritetet në Indi po hetojnë një rast kur një vajzë 15-vjeçare u përdhunua në mënyrë të përsëritur në grup për rreth nëntë muaj, thanë mediat lokale.

Policia në qytetin e Mumbait ka arrestuar 28 persona në lidhje me rastin, që dyshohet se filloi në janar.

Raportet lokale thanë se filloi kur i dashuri i vajzës e përdhunoi dhe filmoi incidentin.

Ai dhe miqtë e tij më pas thuhet se e përdorën regjistrimin për ta shantazhuar që të kryente marrëdhënie seksuale me ta, shkruan BBC, transmeton Shqip.com.

Autoritetet thanë se përdhunimet në grup ndodhën në periferi të Mumbait, përfshirë Dombivili, Badlapur, Murbad dhe Rabale.

Vajza më në fund e raportoi rastin në polici të mërkurën mbrëma. Njësia e lajmeve NDTV tha se vajza kishte emëruar gjithsej 33 sulmues dhe se i njihte pothuajse të gjithë.

Që nga përdhunimi famëkeq i një gruaje të quajtur Nirbhaya, i cili çoi në zemërim global, India ka miratuar ligje të ashpra për t’u marrë me krimet e natyrës seksuale.

Por, pavarësisht kontrollit të shtuar, ai ende mbetet një problem serioz./SHQIP.com