Lajme

Polemika në distancë mes PD të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës

Në konferencën me gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha nuk la jashtë akuzave Lulzim Bashën. Berisha iu referua një interviste të gazetarit britanik të BBC i cili akuzon Bashën se loboi në SHBA me fonde ruse. Për Berishën kjo mjafton për ta vënë Bashën para përgjegjësisë. Ai shkon edhe më tej kur thotë se hetimet e FBI për dosjen ruse të Bashës i mbylli ish-agjenti i dënuar, Charles McGonigal për ta shitur më pas atë (Bashën) te Edi Rama. Sipas Berishës, ta quash Lulzim Bashën opozitë bën mëkat.

“Dosjen ruse ia mbylli McGonigal, për ta shitur Bashën te Edi Rama. Kaq ndodhi aty. A i mori para Bashës, McGonigal apo nuk i mori, unë nuk jam në këto. Por unë nuk kisha dyshime, jo më kot kisha shtruar përpara jush dhe shqiptarëve pyetjen: A mund të pyesni veten si ka mundësi që njeri, për të cilin ky po hetohej, ky po e hetonte sipas dokumenteve amerikane, ky tani pas dy vitesh nuk me shqipëronte emrin e tij, e kishte të ndaluar. Sepse ishte peng. Ka një gjë këtu, t’u thuash shqiptarëve se Lulzim Pengu është opozitë, bëni mëkat ndaj tyre, se shqiptarët nuk e besojnë. Vij te rasti. Deputetët e opozitës janë në protestë. Asnjë deputet nuk ka të drejtë t’i provokojë ata. Ata janë në protestë“, tha Berisha.

Lulzim Basha, shtoi ai, nuk përfaqëson opozitën. Berisha e krahasoi Bashën me Taulant Ballën.

“Të quash opozitë Taulant Ballën, mos bëj gabim. Dua të informoj qytetarët se Lulzim Basha më së paku është identik me Taulant Ballën. Ju e ndoqët gazetarin britanik mbrëmë? Çfarë tha gazetari britanik, një nga ata 4 gazetarët e investigimit? Gazetari britanik në intervistë tha: Lulzim Bashës ia mbylli dosjen e ëmbëlsirave ruse, një zyrtar i lartë i FBI që është në vështirësi të mëdha tani. Ia mbylli McGonigal. Unë, këtu tek ju, kam shtruar një pyetje: Më thoni një rast të vetëm që kur ka dalë skandali McGonigal, që Lulzim Basha të ketë shqiptuar njëherë emrin e tij. Kurrë! Nuk ka ngelur njeri në politikë dhe jashtë politikës, që nuk është shprehur për këtë, përveç Lulzim Pengut. Nuk kisha asnjë dyshim, dhe e falënderoj me mirënjohje gazetarin- ata kanë bërë një hetim të jashtëzakonshëm- që u tha shqiptarëve të vërtetën“, do të deklaronte më tej Berisha.

Por pas këtyre deklaratave, Partia Demokratike i është përgjigjur Sali Berishës.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina u shpreh se deklaratat e Berishës “Tymueset e Sali Berishës për t’ju fshehur hetimeve të SPAK nuk habisin më askënd, pasi fushata e tij e mjerueshme tregon se ai për interesat e tij personale është gati të bëjë gjithçka, të gënjejë e mashtrojë duke përgënjeshtruar edhe vetvetven”.

Ndërsa në akuzat e tij, Berisha përmendte edhe çështjen e Bashës me McGonigal por sipas një versioni të ri, PD thotë në deklaratën e saj se “McGonigal ka pranuar para gjykatës të gjithë operacionin kriminal me qëllim përbaltjen e Lulzim Bashës dhe është dënuar”. “Për fatin e keq të Sali Berishës, me gjithë manipulimet prit e ngjit, ua faktoi dhe gazetari duke deklaruar se nuk kanë gjetur asnjë lidhje me financime ruse, e madje duke theksuar edhe faktin se hetimet u nisën nga McGonigal për shkak të bashkëpunimit të tij të ngushtë me zyrtarë të lartë shqiptarë”, thotë më tej, Karabina.

Edi Rama dhe Sali Berisha, ishin dhe janë bashkë në përpjekje për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të mos u përballur me drejtësinë. Përpjekjet e mjerueshme për të ricikluar shpifjet e kundërshtarit politik, tregojnë hallin e madh të Sali Berishës. Ashtu si nuk e zgjidhi dot hallin me amerikanët dhe britanikët në 2 vjet mashtrime dhe sulme ndaj Lulzim Bashës, ashtu as nuk e fsheh as nuk e zgjidh dot me mashtrimet e dala boje as hallin që ka me SPAK. Aleanca e kullave dhe ‘Non-grata-ve’ nuk do ta dëmtojnë dot PD e as nuk do ta mbajë peng Shqipërinë me paratë e krimit dhe korrupsionit që po financon baltën mediatike dhe politike për t’i ikur drejtësisë”, thuhet më tej në deklaratën e zëdhënëses së Partisë Demokratike.

Grupimet rivale në Partinë Demokratike duken gjithnjë e më larg në qëndrimet e tyre, ndërsa nuk mungojnë as akuzat e ashpra “për të shitur dhe blerë” nga dhe te mazhoranca.

/Shqip.com