Lajme

“Po më ngordhin shpezët” – Banorët e Polluzhës në hall me ujërat e zeza

Lagjja Veliqi në fshatin Polluzhë të Drenasit është e vetmja që nuk është e kyçur në rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit.

Ujërat e zeza tashmë kanë marrë një sipërfaqe të madhe të disa banorëve të këtij fshati.

Ata janë ankuar se problem më të madh po paraqet në stinën e verës, pasi shumë shpezë po u ngordhin.

“Krejt ujërat e zeza të shumicës së lagjes janë duke u grumbulluar në pronën tonë. Verës vjen era shumë e rëndë dhe shumë shpendë që i mbajmë ngordhin për shkak që pinë ujë nga ato ujëra që kanë marrë sipërfaqen e pronës. Terasa që e kemi në oborr, nuk mundemi gjatë verës më e shfrytëzuar hiq për shkak të erës që kundërmon”, ka thënë për Shqip.com, një banore e lagjes Veliqi në këtë fshat.

Ndërsa, banori tjetër Fadil Veliqi, ka thënë se pavarësisht premtimeve, puna nuk është kryer që nga viti 2018.

“Rrjeti i kanalizimit në fshat ka nisur qysh në vitin 2018 dhe deri më tani jemi e vetmja lagje që nuk është e kyçur në rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit. Gypat janë afruar, por nuk është kryer puna. Kryetari na ka premtuar se kjo gjë do të kryhet për 5-muaj, por nuk ka ndodhur”, ka thënë Veliqi.

Komuna dhe banorët ia hedhin fajin njëra-tjetrës

Komuna e Drenasit ka deklaruar për SHQIP.com se problemi qëndron tek banorët e kësaj lagje.

“Po ju njoftoj se në fshatin Polluzhë, Komuna e Drenasit ka investuar në rrjetin e kanalizimit në të gjithë fshatin, përveç në ato segmente në të cilat ka pasur problem nga ana e qytetarëve”, ka njoftuar Vlora Gjinofci, nga Drejtoria e Infrastrukturës Publike.

Mirëpo, një gjë e tillë është mohuar nga Fadil Veliqi, i cili tha se banorët nuk kundërshtojnë diçka që ndryshon mirëqenien e tyre.

“Nuk ka qenë problem të banorët, por te kompanitë kontraktuese, pasi kanë pasur për të shpuar edhe dy tre vende në asfaltin në lagjen tonë, por nuk është bërë. Rrjeti i ujësjellësit dhe i kanalizimit mund të shtrihet përgjatë tokës së shtetit, e cila nuk është pronë private dhe lidhja e shtëpive në rrjet mund të bëhet nga pronat e tyre duke u lidh në rrjetin kryesor në pronë të shtetit. Në bazë të kësaj, si munden banorët me bo probleme në kundërshtim me ligjin. Po mundohen me saju probleme tjera ku thonë se problemet qëndrojnë të banorët që nuk ish dashtë me u diskutu hiq”, ka thënë ai.

Ndërsa, asamblisti i opozitës (Demokratët për Drenasin) në këtë komunë, Mehedin Salihu tha se ka paraqitur këtë problem disa herë në kuvend komunal, por nuk ka pasur ndonjë zgjidhje deri më tani.

“Kam kërkuar që investimet të jenë më racionale, pasi në disa fshatra shtrohet asfalt me kilometra e disa me metra. Ka shumë fshatra të lënë pas dorë siç janë Verboci, Polluzha, Tersteniku, që kanë probleme themelore me ujë, kanalizim, ndriçim. Lagjja në fjalë ku derdhet kanalizimi, kundërmon një erë të rëndë e të papërballueshme”.

Ndërsa nga komuna thanë se janë duke investuar në pikën kryesore të rezervarit të ujit, për të furnizuar të gjitha fshatrat më ujë. Sipas komunës, në fshatin Polluzhë është një pjesë e gypit e realizuar nga organizata CDI dhe pas funksionalizimit të rezervarit, do investohet edhe në kyçje individuale nëpër fshatra.

/Shqip.com