Lajme

“Po mbahen padrejtësisht në burg”, PSD-ja kërkon lirimin e Molliqajt dhe Megjuanit

Partia Socialdemokrate

Partia Socialdemokrate ka kërkuar lirimin “e menjëhershëm” të kryetarit të saj, Dardan Molliqajt dhe aktivistit Adem Megjuani, pasi “po mbahen padrejtësisht në burg”.

Sipas partisë, Molliqajt nuk i është treguar fletë-arresti as para se të arrestohej e as në stacionin policor.

Momenti kur kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, arrestohet nga Policia e Kosovës

“Asnjë ftesë për thirrje nuk i është dorëzuar Dardan Molliqajt sipas Procedurës së Kodit Penal. Dardani ka qenë në shtëpinë e tij dhe në zyrë”, thuhet në reagimin e PSD-së në Facebook.

“Ai ka vazhduar aktivitet e tij, takimet në qytet e konferencën për media në zyrë. Arrestimi i tij, me 60 policë, pak para emisionit televiziv, është politik. Pushteti dëshiron të hesht opozitën kritikuese”.

Ndërkohë, për aktivistin Megjuani PSD-ja thotë se iu ka përgjigjur pozitivisht ftesës së pranuar nga policia dhe është paraqitur në stacionin policor në kohën e caktuar sipas ftesës.

“Pavarësisht kësaj, ndaj tij u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orëve. Kjo tregon që çështja nuk është aspak procedural”.

“Qëllimi përfundimtar i një aksioni të tillë të arrestimit, me plot skandale e parregullsi është frikësimi. Por nuk frikësohemi, as nuk zmbrapsemi”.

Arrestimi i Molliqajt ka ardhë pasi i njëjti gjatë protestës të mbajtur më 29 janar, kishte goditur me shuplakë zyrtarin policor.

Policia ishte vënë në kërkim të kryetarit të PSD-së nga dita e dielë./Shqip.com