Pjesëmarrja e Osmanit në Këshillin e Sigurimit “përplasë” LDK-në me Listën “Guxo”
Doarsa Kica Xhelili, deputete e “Listës Guxo”, brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje i ka reaguar anëtares së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, pasi kjo e fundit e ka cilësuar si “dëm”, pjesëmarrjen e Osmanit në Këshillin e Sigurimit.
“Presidentja e Kosovës Znj.Vjosa Osmani paska shkuar atje ta përfaqësoj Kosovën. Dëm. Misioni i UNMIKut është i bazuar në Rezolutën 1244 të viti 1999. Ky mision ende e njeh juridiksionin e Serbisë mbi Kosovën dhe nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur”, ka shkruar ajo.
Por, përgjigja erdhi nga deputetja e “Listës Guxo”, duke thënë se sikur kuadrot diplomatikë të ishin meritorë “sot nuk do të kishte mbledhje të Këshillit të Sigurimit”.
“Dëm që pavarësisht rezultateve të 14 shkurtit, disa ende nuk e kanë kuptuar se ky popull e ka zhveshur trupin politik nga demagogjia”.
“Dëm edhe më i madh, nëse politikbërja në Kosovë nuk reflekton, në substancë, esencën e saj”.
“Dëm edhe më i papranueshëm, nëse kjo politikbërje, nuk sanon dështimet e mëparme por e vazhdon mendësinë e sulmit ndaj atij që guxon, atij që qëndron konsistent pavarësisht linqimeve, pavarësisht fyerjeve, e pavarësisht sulmit e degradimit që i bëhet atyre që janë parimorë”, ka thënë deputetja Doarsa Kica Xhelili.
Përplasje në Këshillin e Sigurimit
Në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kishte përplasje ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviq – madje ky i fundit i tha Osmanit të ketë “respekt për Vuçiqin” pasi sipas tij “ai është edhe presidenti i Osmanit”.
Kjo pasi, presidentja e Republikës së Kosovës – përmendi faktin se Vuçiq ishte ministër i Millosheviqit gjatë kohës së gjenocidit serb në Kosovë.
“Zonja Osmani duhet të qëndroni në këmbë kur të përmendi Aleksandar Vuçiq sepse është edhe presidenti i juaj dhe duhet t’i kushtoni respekt”, ka thenë Selakoviq.
Majde, Selakoviq ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin e cilësoi si “kasap i Ballkanit”.
“Ndërsa sa i përket kasapit të Ballkanit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e të tjerëve të cilët kanë kidnapuar qytetarë të pafajshëm dhe kanë tregtuar me organe njerëzore janë në burg dhe po përballën me gjyqin”, ka thënë ai.
Selakoviqin “e nervozoi” fjalimi i Osmanit, pasi është përmendur fakti se në Kosovë janë dhunuar 20 mijë gra.
“Duhet të ndaloni të gënjeni për 20 mijë raste të dhunës gjatë luftës sepse bazuar në raportin e dhënë këtu tek Këshilli i Sigurimit të OKB-së, nga sekretari i përgjithshëm në misionin e UNMIK i prezantuar më 5 prill 2021, statusi i grave të dhunuar është konfirmuar jo tek 20 mijë gra por 920 raste”, pretendoi ai.
Ndërsa, Përfaqësuesi i Federatës Ruse në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Vasily Nabenzya, ka thënë se “Kosova po e provokon serbët për t’i larguar nga Kosova”, duke shtuar se “fjalimet e zjarrta të Vjosa Osmanit nuk mund të ndryshojnë faktet”. /Shqip.com