Lajme

Petkoviq për zhvillimet në veri: Ishim në prag të një tragjedie

Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, në Serbi, Petar Petkoviq

Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka thënë se ishte afër një tragjedi e rëndë si pasojë e zhvillimeve në Veriun e Kosovës.

Këto komente ai i bëri gjatë një interviste  për median serbe “telegraf.rs”.

Madje, sipas tij “që nga koha kur Albin Kurti ka ardhur në pushtet janë rritur sulmet në drejtim të serbëve”.

Mendon se retorika e kryeministrit të Kosovës është “anti-serbe”.

“Ne tashmë kemi një të tretën më shumë sulme me motive etnike ndaj serbëve se vitin e kaluar, duke përfshirë dy kriza serioze në veri të krahinës me 15 ditë diferencë, të cilat ishin në prag të një tragjedie të rëndë. E gjithë kjo është plani i Kurtit, që të paramendohet që prodhon kriza për të fituar disa poena politikë”, ka thënë Petkoviq.

Ai theksoi se populli serb dëshiron të jetëoj normalisht e që nuk “kërcënojnë askënd”.

“Populli nuk ka zgjidhje tjetër veçse të luftojë për një jetë të zhveshur për fëmijët e tij dhe për të ardhmen e Kosovës”.

Pikërisht këto ishin mesazhet e dërguara presidentit Aleksandër Vuçiq, të cilat ne i kuptuam shumë mirë. Populli serb nuk kërcënon askënd, thjesht duan të jetojnë normalisht”.

Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?

Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.

Gjithçka nisi në mëngjesin e së hënës, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar se po zbatohet masa e reciprocitetit me Serbinë për targat.

Nuk vonoi shumë dhe po atë ditë filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, tha ai para deputetëve.

Lexo edhe:
Shqipëri: Biznesmenit ia presin gishtin dhe ia vjedhin 100 mijë euro (FOTO)

Por, ai gjeti kundërshtim nga opozita, të cilët thanë se “po bën show”, duke aluduar te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Kurtin për këtë masë e kundërshtoi edhe një pjesëtar i kabinetit të tij. Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të reagonte.

Njeriu nga i cili Rakiq kërkon reagim, Aleksandër Vuçiq, sipas raportimeve të mediave serbe, thirri menjëherë mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare. Ai paralajmëroi masa ekonomike e politike ndaj Kosovës.

Në po atë natë, derisa protestat vazhduan – ato filluan të bëhen edhe më tensionuese. Përveç tendave të vendosura nga banorët serbë të asaj zone, me çka treguan se nuk e kanë ndërmend të ndalen, të njëjtit ngritën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”.

Protestat në Veri të Kosovës

Gjatë asaj kohe, edhe Serbia nuk qëndroi duarkryq. Mediat serbe publikuan disa pamje ku shiheshin dhjetëra autoblinda që u nisën për në kufi.

Derisa gjithçka po ndodhte në vazhdimësi, aleatët ndërkombëtarë bënin thirrje vazhdimisht për ulje të menjëhershme të tensioneve. Thirrjet ishin pothuajse të njëjta sikurse nga Bashkimi Evropian, edhe nga SHBA-të e vendet e QUINT-it, të cilët kërkuan nga palët që të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Madje, ambasadorët e këtyre të fundit i priti në takim kryeministri Kurti, pas së cilit bëri të ditur se vendimi i marrë të hënën do të qëndrojë derisa pala serbe të veprojë sikurse Kosova deri tani, ose që të dyja vendet të vazhdojnë me këtë masë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kanë kërkuar të përjashtohen nga reciprociteti me targa, por si përgjigje nga kryeministria e Kosovës gjetën “kompenzimin që do t’u bëhet shumë shpejt bashkëkombasve që do të dëmtohen nga ky vendim”.

Ditët kalonin dhe situata çdo herë vinte e bëhej edhe më e paqartë se çfarë do të ndodhë në vijim. Ushtria serbe nisi provokimet e saj edhe nga ajri.

Për dy ditë me radhë janë parë disa helikopterë serbë duke vëzhguar situatën brenda kufirit të Kosovës, me ç’rast bënë që të reagojë edhe KFOR, i cili shpeshtoi patrullimet deri në momentin kur edhe u arrit marrëveshja për të vëzhguar terrenin që kishte në dorë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për dy javë rresht. /Shqip.com