Lajme

Petkoviq: Pa formimin e Asociacionit nuk mund të shkohet para në dialog

Drejtori i së ashtuquajturës "Zyre për Kosovën", Petar Petkoviq

Kryenegociatori i Beogradit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë njëherësh edhe drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkovic, ka thënë në Bruksel se pa formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk mund të ketë progres në dialog.

Petkoviq, pas përfundimit të takimit në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe Miroslav Lajçak emisarin e BE-së për dialogun, ka theksuar se ata kanë biseduar për 10 orë.

“Çështja e parë dhe themelore që ngritëm është formimi i Asociacionit. Kanë kaluar nëntë vjet nga marrëveshja e Brukselit dhe ne ende jemi në pritje të formimit, dhe të gjitha obligimet tjera duhet të zbatohen”, ka thënë Petkoviq për Tanjug, transmeton Shqip.com.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, thotë se ka pasur diskutime intensive me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Besnik Bislimi, Petar Petkoviq dhe Miroslav Lajçal

Në një postim në rrjetin social “Twitter;, Lajçak ka shkruar se po zhvillohen diskutime për një sërë temash konkrete.

“Diskutime intensive me dy kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq për një sërë temash konkrete po zhvillohen sot në Bruksel”, ka shkruar ai, duke mos bërë të ditur konkretisht se për çfarë temash është diskutuar.

Në këtë takim, i pari për këtë vit, u raportua se do të diskutohej për të pagjeturit dhe për arritjen e marrëveshjes së përhershme për targat.

Ndërkohë, zyrtarët serbë patën paralajmëruar se përveç këtyre dy temave do të diskutohej edhe për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës./SHQIP.com