Lajme

Petkoviq: Ne ruajtëm paqen dhe sigurinë dhe targat KM

Drejtori i së ashtuquajturës "Zyre për Kosovën", Petar Petkoviq

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Pektoviç ka reaguar lidhur me arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Petkoviq, pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel, ka thënë se marrëveshja e arritur ka ruajtur paqen dhe ka mbrojtur popullin serb në veri të Kosovës.

“Me këtë marrëveshje nga ora 8 nesër nuk ka gjoba prej 150 eurosh të planifikuara nga Kurti, as politika ndëshkuese ndaj serbëve që vozisin vetura me targa KM, as politika ndëshkuese në të gjitha fazat tjera. Me këtë marrëveshje kemi ruajtur paqe dhe arritëm të mbrojmë popullin tonë në veri ”, ka thënë Petkoviq, raporton Kosovaonline.

Sipas tij, targat e lëshuara nga Serbia mbeten në fuqi, gjegjësisht do të jenë në përdorim si më parë.

“Kjo do të thotë që të gjithë pronarët e makinave do të mund të regjistrojnë targat normalisht, i vetmi vend ku do të ndalemi është nxjerrja e targave të reja KM derisa të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për çështjen e targave, por gjithsesi tre vitet e fundit ato Targat e KM nuk janë lëshuar, Kurti sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar ditët e kaluara dhe kjo është e rëndësishme, arritëm të ruajmë paqen, dialogu dhe bisedimet vazhdojnë sepse duhet të shkojmë për normalizimin e marrëdhënieve” ka thënë Petkoviç.

Pas arritjes së marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave ka ardhur edhe reagimi nga ana e shefit të delegacionit të BE-së.

Sipas Emanuele Giaufret tani dialogu duhet të fokusohet në normalizim të marrëdhënieve.

“Një lajm shumë i mirë nga Brukseli. Nën lehtësimin e BE-së u arrit një marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Tani dialogu Beograd-Prishtinë të fokusohet në normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Giaufret.

Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi ka folur për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

“Falënderimet e mia sonte shkojnë në Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviç, për angazhimin e tyre konstruktiv sot. Dhe një falënderim të madh për Departamentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diplomacinë amerikane për mbështetjen e paçmuar”, ka shkruar Lajçak.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbia ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në Tëitter.

“Ne kemi një marrëveshje! Me kënaqësi të njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqëndruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre” ka bërë të ditur Borrell fillimisht.

Më tutje shefi i diplomacisë evropiane ka dhënë detaje të tjera për marrëveshjen.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm”- ka shkruar Borrell.

Arritjen e marrëveshje e ka ka konfirmuar edhe Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami.

“Pas orëve të gjata, arritëm objektivin tonë: kemi një marrëveshje! Tani mund të fillojnë bisedimet intensive për normalizimin e plotë” ka shkruar Bajrami.

Shefi i delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, nuk ka dhënë detaje rreth marrëveshjes.

“Pas marrëveshjes së sotme, ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka shkruar Bislimi në Tëitter.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier dhe Qeverinë Amerikane për angazhimin e tyre aktiv në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel.

Presidentja e vendit, përmes një postimi në Tëitter ka thënë se mbështetja e ShBA’së në procesin e dialogut është e domosdoshme.

Tutje, presidentja Osmani tha se Kosova është mirënjohëse ndaj ShBA’së.

/Shqip.com