Lajme

Petkoviq: Lufta diplomatike e Vuçiqit bëri që Kurti ta shtyjë vendimin

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrje të aplikimit të masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet me Serbinë.

Ai ka thënë se lufta diplomatike e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka bërë që kryeministri, Albin Kurti, ta shtyjë vendimin.

Petkoviq ka thënë se pavarësisht kësaj Prishtina vazhdoi me lëshimin e dokumenteve, dhe se ata po flasin me serbët në Kosovë që të ruhet paqja.

“Me luftën e vendosur diplomatike të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Beogradit, veçanërisht intensivisht në 24 orët e fundit, arritëm që QUINT-i dhe SHBA-ja të bëjnë presion ndaj Aljbin Kurtit dhe që Prishtina ta shtyjë zbatimin e vendimeve për targa dhe dokumente”, ka thënë të hënën Petkoviq, raporton Tanjug.

Ai shtoi se do të përpiqen të arrijnë një zgjidhje kompromisi në Bruksel.

Theksojmë se me kërkesë të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës ka vendosur të dielën mbrëma që të shtyjë deri më 1 shtator implementimin për reciprocitet për letërnjoftime.

Lexo edhe:
Qeveria shtyn vendimin e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet

Në anën tjetër, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Protesta e serbëve lokalë erdhi një ditë para se të hynte në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Këto pikëkalime janë ende të barrikaduara ndërsa vërehen forcat e shtuara të Policisë së Kosovës.

Barrikada rrugës për në Bërnjak

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë./Shqip.com