Lajme

Petkoviq: Kurti duke refuzuar formimin e Asociacionit, anulon dialogun

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë’, Petar Petkoviq, thotë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke refuzuar të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, “jo vetëm që anulon procesin e dialogut, por edhe poshtëron Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, transmeton Shqip.com.

Me anë të një deklarate, Petkoviq thotë se Kurti po tregon se nuk do të ketë asociacion dhe sipas tij, është e papranueshme dhe e turpshme të tregojë arbitraritet kur flitet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Është e papranueshme dhe e turpshme që Kurti të tregojë arbitraritet dhe arrogancë kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe ta bëjë këtë pa asnjë sanksion, saktësisht prej atyre që janë garantues të implementimit të asaj që është nënshkruar”, ka thënë Petkoviq, raporton N1.

“Nuk ka dyshim se Kurti po bën me dije që jo vetëm që nuk do të ketë asociacion, por që nuk do të ketë as serbë në Kosovë”, shtoi ai.

Qëndrimi i Petkoviq lidhet me deklaratën e Kurtit për Deutsche Welle ku ka thënë se nuk do të ketë asociacion në baza etnike. /Shqip.com