Lajme

Petkoviq i reagon Sveçlës për targa, e quan “i forti i Kurtit”

Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, në Serbi, Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj thirrjeve të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për t’i hequr targat ilegale dhe për  regjistruar veturat me tabela të Republikës së Kosovës.

“Targat KM nuk mund të jenë të paligjshme, sepse ato lëshohen nga autoritetet e Republikës së Serbisë në përputhje me të gjitha procedurat ligjore në territorin e tyre dhe pranohen kudo në botë”, raporton N1.

“Kjo tregon qartë se asnjë video-mesazh dhe kërcënim nga Kurti dhe Sveçla së bashku nuk mund t’i frikësojë serbët në Kosovë, sepse askush nuk mund t’ua heqë të drejtën për të qenë qytetarë të Serbisë ‘që nuk duan të jetojnë në të ashtuquajturin shtet të Kurtit””, tha Petkoviq.

Ai ka thënë se “efekti i thirrjeve të Kosovës tregohet më së miri nga numri i  atyre që kanë kthyer targat në RKS e që është një shifror”.

Lexo edhe:
Sveçla me thirrje për qytetarët në veri: Riktheni targat në RKS, procesi ofron shumë lehtësira

Ndryshe, Sveçla mbrëmë përmes video-mesazhi në Facebook iu kanë bërë thirrje qytetarëve në veri që të ndryshojnë targat ilegale në ato RKS.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

“Të nderuar qytetarë, tashmë ka kaluar një muaj që kur ka filluar procesi për regjistrimine targave ilegale në targa legale të Kosovës, RKS. Në gjithë Republikën e Kosovës qytetarët veq se kanë filluar regjistrimin e tyre. Procesi dymujor i cili përfundon më 31 tetor, është një mundësi e fundit që të gjithë pronarët që posedojnë mjete me targa ilegale t’i kthejnë ato në targa RKS”, u shpreh ai.

Ai ka thënë se ky proces ofron shumë lehtësira.

“Ky proces ofron lehtësira të mëdha, duke filluar nga regjistrimi i mjeteve më të vjetra se 10 vite si dhe lirimi nga: Taksa doganore, taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifa për targën dhe tarifa për pajisjen me certifikatë të regjistrimit të mjeteve. Gjithashtu, nga tani e tutje ju mund të regjistroni mjetet me targat e regjionit tuaj në të gjitha qendrat për regjistrimin e automjeteve, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit tuaj në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ministri tutje tha se nga 31 tetori ato nuk mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës./SHQIP.com