OP-ED Kolumne

Përmes vendimit për targat, Albin Kurti tregon pozicionin e tij për marrëveshjen finale

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Shtyrja ose jo e afatit të targave, është shndërruar në temën e radhës në raportet midis Kosovës dhe Serbisë.

Njëjtë si në rastin e moslejimit të mbajtjes së referendumit dhe zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, janë shtuar zërat pro dhe kundër vendimit të Qeverisë.

Ka edhe të tillë që eskalojnë deri në atë masë sa të thonë se Albin Kurti do të na e sjellë luftën! Pra, në cilëndo rrethanë, janë të gatshëm ta fajësojnë kryeministrin e Kosovës. Jo Serbinë që nuk respekton marrëveshjet. Jo Vuçiçin që është aleati i vetëm i Rusisë në Ballkan.

Për të tillët, problemi i vetëm mbetet njeriu që morri pushtetin absolut në zgjedhjet e fundit, ngritja e të cilit në politikë erdhi kryesisht shkaku i kompromiseve të dhembshme që Kosova i bëri në raport me Serbinë. Si kundërvlerë, nuk morri asgjë më shumë sesa vazhdimin e arrogancës së pushtetarëve serbë.

Kuptohet, për të qenë korrekt deri në fund, lëshimet që bëri Kosova kryesisht ishin rezultat i presionit ndërkombëtar. Të verbuar nga etja për pushtet dhe pasurim të ngutshëm, pushtetarët e kaluar e zhdukën kufirin e racionalitetit. Çdo kërkesë e faktorit ndërkombëtar ishte një “Po” e padiskutueshme e atyre që premtonin liberalizim të vizave, inegrim në strukturat euroatlantike dhe BE. Ndërsa në fund përfunduam si shteti më i izoluar evropian, me Gjykatë Speciale ku akuzohen krime të presupozuara monoetnike dhe me një kërkesë të vrazhdë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për të minuar një herë dhe përgjithmonë shtetësinë e Kosovës.

E gjithë kjo situatë ka prodhuar një moment të ri politik, atë që në terren quhet propozim “franko-gjerman”, i cili presupozohet se në një të ardhme të afërt do t’i prezantohet publikut.

Në të kaluarën, dokumente të tilla para se të merrnin trajtën zyrtare i servoheshin opinionit përmes akterëve të ndryshëm qeveritar për të matur pulsin dhe për ta paketuar si një “arritje” që pavarësisht kompromisit që kërkohej, Kosova do të përfitonte shumë! Kjo ngaqë pushteti i kaluar qëllim të vetëm e kishte qëndrimin në pushtet, pavarësisht përmbajtjeve të marrëveshjeve të cilat Serbia në vazhdimësi i kushtëzon. Ndërkohë që qëllimi i saj ishte dhe mbetet – dialog për mos tu marrë vesh kurrë!

Dhe, pikërisht këtë e ka kuptuar qëmoti Albin Kurti i cili kjo në pozitën e kryeministrit është pozicionuar me këmbëngulje ne anën e zbatimit të ligjit.

Ndërkohë, nuk kanë munguar deklaratat e faktorëve ndërkombëtarë deri në atë masë sa të kërkohet që asnjë serb i Kosovës mos të gjobitet nëse nuk respekton ligjin. Pra, këta që e kanë gojën plot me “sundimin e ligjit”, kërkojnë haptazi që ai të shkelet kur bëhet fjalë për një komunitet të caktuar. Të amnistohen siç ka ndodhur në të kaluarën kur u janë falur të gjitha veprat penale në emër të integrimit të tyre.

Krejt kjo tolerancë me aminin ndërkombëtar e ka trashur pafundësisht krimin në veri të Kosovës. I ka shtuar edhe më tej apetitet e një shteti që assesi nuk pranon ta njeh realitetin e ri. Për faktin e thjeshtë – duan të na zhbëjnë si shtet. Qoftë duke na e kontestuar të kaluarën përmes Gjykatës Speciale, qoftë duke na e minuar të ardhmen përmes Asociacionit.

Prandaj, Albin Kurti e ka kuptuar se është momenti i fundit që të vendoset një herë e përgjithmonë cilën kahje do ta merr Kosova në të ardhmen. Me vendimin këmbëngulës për targat, ai vetëm po i çon porosi indirekte faktorit ndërkombëtar se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje në të ardhmen ku kërkohet që Kosova të lëshojë pe, ndërsa Serbia në vazhdimësi të përkëdhelet. Ky skenar mund të jetësohet, por jo me këtë kryeministër i cili është i vendosur që shtetit të tij ti jepet ajo që i takon: pavarësia e plotë nga Serbia!.

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com

/Shqip.com