Ekonomi

Përfundon aksioni “Transporti 2”, arrestohen 11 persona për tregti të ndaluar

Ka përfunduar aksioni “Transporti 2”, kundër kontrabandës, aksion ky i zhvilluar në mes të Policisë dhe Doganës së Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës hetimet intensive kane filluar në fund të vitit 2021, me autorizim të prokurorisë, ndaj disa të dyshuarve shtetas kosovarë, me dyshim të kryerjes së veprës penale ‘tregti e ndaluar’.

“Sot me datën 08.04.2022, në regjionin e Ferizajt dhe Mitrovicës se Veriut, është realizuar plani operative, në kuadër të të cilit  Departamenti i Policisë Kufitare dhe Doganën e Kosovës, ka kryer kontroll në katër lokacione (tre në komunën e Shtërpcës dhe një në komunën Mitrovicë Veri) dhe ka ndaluar, kontrolluar katër automjete me të cilat dyshohej se bëhej transport, gjegjësisht tregti e ndaluar dhe kontrabandë”, thuhet në njoftim.

PK ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në këto katër lokacione dhe në automjetet e ndaluara është gjetur një sasi e konsiderueshme e mallit komercial (gjera ushqimore, pije alkoolike, duhan etj.) mall i kontrabanduar pa dokumentacion përkatës.

“Në konsultim me Prokurorin e Shteti, malli është konfiskuar nga Dogana e Kosovës dhe janë arrestuar njëmbëdhjetë meshkuj kosovarë nën dyshimin se merreshin me tregti të ndaluar dhe janë sekuestruar tri automjete”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Shqip.com

Malli i sekuestruar