Lajme Ballkan

Përfaqësuesja e Serbisë në Këshillin e Evropës pretendon se e ka hequr Kosovën nga agjenda e mbledhjes

Takimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që pritet të mbahet sot në Strasburg, në rend të ditës e ka edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Siç raporton RTS, shefja e misionit të Serbisë në Këshillin e Evropës, Aleksandra Gjuroviq, po pretendon se ka arritur të bind shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për ta larguar kërkesën e Kosovës nga agjenda e takimit.

Megjithatë asgjë nuk është konkrete kjo pasi që në fillim të seancës, e cila është caktuar për në orën 9:30, caktohet edhe një herë rendi i ditës dhe më pas anëtarët mund të kërkojnë që kërkesa e Kosovës të përfshihet në diskutim.

Ndryshe Kosova kërkesën për aplikim në Këshillin e Evropës e ka dorëzuar më 12 maj.

Serbia tash e disa muaj e ka rifilluar fushatën e lobimit kundër shtetit të Kosovës, e ajo është intenstifikuar sidomos pas kërkesës për pranim në Këshillin e Evropës.

/Shqip.com