Lajme

PDK për drejtorin e ri të RTK-së: Gërvalla është militant i VV-së, po cenohet fjala e lirë

PDK
PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj emërimit të Rilind Gërvallës në pozitën e drejtorit në transmetuesin publik.

Sipas PDK-së, Gërvalla është militant i Vetëvendosjes dhe se RTK-ja po shndërrohet në televizion publik megafon të kryeministrit, Albin Kurti.

“Kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, kanë instaluar nga sot militantin e tyre shumë vjeçar Rilind Gërvalla si drejtor në Televizionin Publik të Kosovës. Në vazhdën e kapjes së secilit institucion të pavarur në Kosovë, kryeministri Albin Kurti në koordinim të ngushtë me partneren e tij, presidenten Vjosa Osmani, tash e disa muaj kanë nisur instalimin e militantëve të tyre në Radio Televizionin Publik të Kosovës”, thuhet në reagim.

Lexo edhe:
Kica reagon pas zgjedhjes së Gërvallës, thotë se u rikap RTK-ja

Tutje, në reagimn e tyre theksohet se përmes kapjes së RTK-së, po tentohet të instalohet propaganda e llojit “Çka ka, çka s’ka”.

“Nëpërmjet kapjes së Radio Televizionit Publik të Kosovës me militantë partiak;, pushteti po synon kapjen e mendjes së qytetarëve nga e cila frikësohen më së shumti.  Prandaj, nëpërmjet instalimit të militantit Rilind Gërvalla si drejtor, kryeministri Albin Kurti po synon që ta përdorë RTK-në për propagandë dhe agjitacion të llojit “Çka ka, çka s’ka”, për të shtrembëruar realitetin dhe të vërtetën e keqqeverisjes së tij”, thuhet tutje në reagim.

Lexo edhe:
Ish-anëtari i LVV-së bëhet drejtor i RTK-së

Për fund, PDK vlerëson se kapja e RTK-së po bëhet përmes direktivës së pushtetit dhe as thirrjet e shoqërisë civile për ndaljen e politizimit nuk patën sukses.

As kërkesat shoqërore për transparencë e meritokraci dhe as thirrjet e asociacioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile për mos politizim të transmetuesit publik, nuk arritën ta ndalin hovin e projektit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për kapjen e RTK-së. Partia Demokratike e Kosovës konsideron se kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë”, thuhet në fund.

/Shqip.com