Lajme

PDK pas takimit: Mbështesim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë

Partia Demokratike e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka dal me një deklaratë për media pas takimit të sotëm në Ambasadën amerikane në Kosovë ku u diskutua për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë deklarat thuhet se PDK vazhdimisht ka dhënë mbështetje të nevojshme për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“PDK vlerëson lartë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi. Qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me dialogun janë të qarta, publike dhe konsistente. Rrjedhimisht, PDK në vazhdimësi i ka dhënë mbështetjen e nevojshme dhe e ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Tutje thuhet se Partia Demokratike e Kosovës do të jap gjithmonë kontributin e saj aktiv kur në pyetje është interesi i shtetit dhe i qytetarëve të Kosovës.

Kujtojmë se ka përfunduar takimi i organizuar nga Ambasada amerikane në Kosovë ku u diskutua për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Në një postim në Twitter, pas këtij takim, ambasadori Jeffrey Hovenier tha se do të vazhdojnë të avokojnë për zbatimin e të gjitha zotimeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi.

“Sot mbajtëm seancë dëgjimore U.S. Embassy Pristina, Kosovo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut”, shkroi Hovenier.

Në këtë takim kanë qenë të pranishëm përfaqësues nga partitë opozitare, shoqëritë civile, ministra të dikasterëve të ndryshme si dhe shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentes, Vjosa Osmanit.

/Shqip.com