Lajme

PDK i kundëpërgjigjet Qeverisë: Çka ka Albini-kallxon Martini

Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës iu është kundërpërgjigjur Qeverisë së Kosovës me një video e cila mbanë titullin “Çka ka Albini – kallxon Martini”.

Në mbishkrimin e kësaj video thuhet se historia e aferës milionëshe e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt së bashku me akuzat e ngritura ndaj tij, mbrojtja e pakuptueshme dhe e dyshimtë me krerët institucional, lidhja e me kryeministrin e shumë sene të tjera nuk mund të fshihen.

“Çka ka Albini – kallxon Martini! Historia e aferës milionëshe e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, akuzat e ngritura ndaj tij, mbrojtja e pakuptueshme dhe e dyshimtë nga krerët institucional, lidhja me Kryeministrin Kurti dhe financimin e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje! Përkundër përpjekjeve, e vërteta nuk do të mund të fshihet”, shkroi PDK krah videos.

Në videon e publikuar nga PDK, janë edhe deklaratat e krerëve të shtetit sa i përket ‘arsyetimeve’ se pse nuk duhet të shkarkohet Berishaj nga pozita e ambasadorit.

Thuhet se Martin Berishaj u mor në mbrojtje të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ku më pas shfaqet edhe një sekuencë e deklaratave të Kurtit lidhur me këtë çështje.

“Nuk ka korrupsion përkundrazi do të ketë kallëzim penal e sqarim ën gjykatë për shpifje të tillë. Profesor Martin Berishaj është ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci. Është patriot i Malësisë dhe profesor i shkëlqyer. Nuk ka gjë aty”, thotë Kurti.

Po ashtu, potencohet se Martin Berishajn e ka marrë në mbrojtje dhe presidentja Vjosa Osmani e ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuzat”, shihet duke thënë Osmani.

Ndërsa, është shkëputur edhe një pjesë e deklaratës së Gërvallës lidhur me këtë rast.

“Duhet të kemi mirëkuptim që ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale. Ambasadori shkarkohet në momentin kur ka momente faktike se pse duhet të shkarkohet”, ka thënë Gërvalla.

Videoja përfundon duke thënë se ky skandal së bashku me të gjithë personat që janë përfshirë në të, do të zbulohen.

Kujtojmë se ditë më parë ambasadori Berishaj ka reaguar lidhur me pretendimet ndaj tij.

Berishaj tha se të gjitha akuzat janë të pabaza dhe tendencioze si dhe ai nuk ka të bëjë fare me to.

Lexo edhe:

Reagon sërish Martin Berishaj, demanton lajmet rreth aferës

Kujtojmë se para disa muajsh, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur hetimet për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.

Ndaj Berishajt ishte ngritur kallëzim penal i cili ndërlidhet me mos-deklarimin e kompanisë që Berishaj e posedon në Mal të Zi.

Lexo edhe:

Anti-Korrupsioni dorëzon kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj

Shqip.com në prill të vitit të kaluar pati raportuar se Berishaj posedon aksione në dy kompani të cilat zhvillojnë biznes në Kosovës.

Por, këto biznese ku Berishaj është aksionar, nuk i ka deklaruar në deklarimin e pasurisë në Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Shqip.com kishte kontaktuar agjentin e regjistruar të firmës Zaslon Kosova L.L.C, Albert Hajrizaj, i cili ka thënë se kompania në fjalë është formuar në vitin 2008 dhe që nga ai vit nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet.

Lexo edhe:

(Dokument) Berishaj nuk i ka deklaruar aksionet e dy kompanive vendore

‘’Kjo kompani është hapur në vitin 2008, kjo kompani vetëm është hapur dhe është mbetur nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet’’ ka thënë nga kjo kompani për Shqip.com

Katër muaj pas, Agjencia Kundër Korrupsionit ka ngritur kallëzim penal ndaj Berishajt.

/Shqip.com