Pasuria e Martin Berishajt, deklaron 15 mijë euro para të gatshme
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka deklaruar vetëm 15 mijë euro para të gatshme në bankë.
Në formularin e deklarimit të pasurisë i publikuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Berishaj i ka deklaruar pasuri të paluajtshme një banesë të cilën e ka blerë në vitin 2001 në shumën prej 180 mijë me të hyra dhe kursime të përbashkëta familjare.
Ai ka një shtëpi të trashëguar nga prindërit në vlerë të 72 mijë eurove, një banesë të blerë me kursime në vlerë të 50 mijë eurove, të përbashkët me gruan, dhe një tokë të trashëguar poashtu nga prindërit në vlerë të 80 mijë eurove.
Pasuri të luajtshme, ambasadori i ka deklaruar dy vetura, një të veten dhe një të gruas, të cilat në total kapin shifrën e 57 mijë eurove.
Ndërsa, shuma vjetore e të hyrave të tij është 39 mijë e 936 euro, ndërsa e bashkëshortes 24 mijë euro.
Në formularët e publikuar sot nga AKK, nuk figuron kompania “MB Consulting” me seli në Podgoricë dhe as ajo “Zaslon Kosova L.L.C”, që i ka zyret në Prishtinë.
Theksojmë se Berishaj ishte bërë lajm ndërkombëtar si i përfshirë në një skandal të zbuluar financiar në Slloveni, ku me ndihmën e tij kandidati për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob, dyshohet se ka bërë shpëlarje parash. Këto pretendime Berishaj i kishte mohuar./Shqip.com