Pas konsultimit me Blinken, Rama thirrje Kurtit: Kosova asnjë hap pa u konsultuar me aleatët
Pas diskutimeve me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken kryeministri Edi Rama i ka bërë apel Kosovës që të mos bëjë asnjë hap sa i përket dialogut me Serbinë pa u konsultuar me aleatët.
Deklarata e fortë e shefit të ekzekutivit shqiptar u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me numrin dy të shtetit amerikan.
Mesazhi i Ramës duket si porosi që vjen direkt nga përfaqësuesi i lartë i Uashingtonit që Prishtina të mos nxitohet me vendimin për dinarin, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet.
“Është në interesin tonë dhe të Kosovës që të përparojë në realizimin e të gjithë kërkesave të dialogut që nuk janë shtrënguese, që Kosova të lëshojë as një milimetër nga dinjiteti dhe sovraniteti i vetë. Këto kërkesa bëjnë të mundur krijimin e një konteksti që e ngre lart republikën e Kosovës si një republikë që kërkon mbështetjen dhe vlerësimin e të gjithë aleatëve.
Edhe sot pasi kemi diskutuar dua ta përsëris apelin tim për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar me aleatët tonë strategjikë sepse është në interesin e tyre dhe të aleancës tonë. Nga veprimet e pa konsultuara mbase mund të fitohen ca vota sot për sot duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme por nuk fitohet e ardhmja”, u shpreh Rama.
/Shqip.com