Lajme

Parashikimi i motit nga IHMK-ja, java nis me reshje shiu

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e parë e vjeshtës parashihet të jetë me kushte të ndryshueshme meteorologjike.

Sipas njoftimit, dita e hënë pritet të fillojë me vranësira të dendura, të cilat gjatë ditës parashihen të sjellin reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë.

Kushte afërsisht të ngjashme të motit priten edhe ditën e martë, ku pos reshjeve parashihen edhe pak rreze dielli dhe mundësi për shkarkime rrufesh.

Në ditën e tretë të javës, të mërkurën, sipas Institutit do të ketë vranësira më të theksuara dhe më pak reshje të cilat nuk do të përfshijnë gjithë territorin.

Grafika nga IHMK-ja

Ndërsa të enjten dhe të premten pritet të ketë mot më stabil dhe me rritje të lehta të temperaturave në të dy vlerat ekstreme.

Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-22 gradë Celsius.

Po ashtu është njoftuar se do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i perëndimit dhe veriperëndimit./Shqip.com