Sport Ndërkombëtar

Parashikim i keq për Manuel Neuer

Manuel Neuer mbylli para kohe këtë sezon pasi pësoi një frakturë në këmbën e djathtë, ndërsa ishte duke u marrë me ski gjatë pushimeve pas Kupës së Botës në Katar. Mirëpo, nëse mjekët fillimisht bënë të ditur se gardiani i Bayern Munich nuk mund të rikthehej para verës në fushë, tashmë nga ecuria e rikuperimit dalin në pah të tjera probleme.

Mbeten për të kryer disa analiza më të detajuara, por frika është se 36-vjeçari ka dëmtuar fibulën dhe duke parë moshën e portierit të bavarezëve, mund të jetë edhe fundi i një karriere të lavdishme.

Këtë frikë në një moment delikat të karrierës e konfirmon “Bild”, që shkruan se koha e gjatë e rikuperimit mund të shtyjë Neuerin t’i japë fund me futbollin e luajtur. Aktualisht, Bayerni është vendosur në kërkim të zëvendësuesit të Neuer dhe është shumë pranë marrëveshjes me zviceranin Jan Zomer.

Karriera e Neuer me Bayern Munichut është e mbushur me suksese duke fituar 10 herë radhazi titullin kampion, por edhe 2 Liga të Kampionëve, 2 Superkupa të Evropës, 2 Botërorë të Klubeve, 5 Kupa të Gjermanisë dhe 7 Superkupa të Gjermanisë. Sigurisht, pa lënë mënjanë edhe gëzimin më të madh që është Kupa e Botës në vitin 2014 me kombëtaren e Gjermanisë.

/Shqip.com