Paralajmërimi i Mossad për Izraelin: Irani mund të sulmojë nga territori i Irakut brenda disa ditësh
Shërbimet izraelite të inteligjencës dyshojnë se Irani po përgatitet ta sulmojë Izraelin nga territor irakian brenda disa ditësh, edhe pse në pamje të parë duket sikur regjimi i ajatollahëve ka hequr dorë nga hakmarrja ndaj sulmit izraelit.
Dy burime izraelite thanë për Axios se goditja mund të jenë planifikuar të ndodhë përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Të njëjtat burime pretendojnë se pritet që në sulmin Iranian të përdoret një numër i madh dronësh dhe raketash balistike. Irani mund t’i vërë shpejt planet e tij në veprim nëse vendos ta ndërmarrë sulmin vërtet, megjithatë zyrtarë amerikane pohuan për Axios se SHBA nuk e di me siguri nëse është marrë një vendim i tillë.
Kreu i Gardës Revolucionare iraniane Hossein Salami deklaroi një ditë më parë se Izraeli gaboi rëndë kur sulmoi Iranin javën e kaluar dhe tha se përgjigja e Republikës Islamike do të jetë “ndryshe nga çdo skenar” për të cilin mund të përgatitet shteti hebre. Edhe CNN pohoi se ka marrë informacione nga një burim i lartë Iranian se Teherani po planifikon një përgjigje “përfundimtare dhe të dhimbshme” që ka të ngjarë të vijë përpara presidencialeve të 5 nëntorit në SHBA.
Ushtria izraelite bombardoi sakaq mëngjesin e sotëm periferitë jugore të Bejrutit, pasi fillimisht i urdhëroi banorët të largoheshin. Disa ndërtesa u shkatërruan në disa lagje të Dayihehut në jug të Bejrutit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban. Nuk dihet ende nëse nga këto bombardime ka viktima.
/Shqip.com