Pacolli: Kurti mori atë që donte – vijën e kuqe nga SHBA-të

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë atë që dëshironte – vijën e kuqe nga Shtëpia e Bardhë, njofton Shqip.com.
Kështu është shprehur ai pas lajmit se Kosova nuk është në mesin e 100 shteteve të ftuara për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci që do të mbahet në dhjetor në Amerikë.
Pacolli e ka parë si kambanë alarmi mosftesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën që të marrë pjesë në këtë samit.
Sipas ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, përjashtimi i Kosovës nga ky samit është “po aq shqetësues sa edhe nevojë për të reflektuar se ku po shkon Kosova”.
“Është hera e parë që Kosova përjashtohet nga një Samit i Shoqërive të Lira, samit ku Kosova duhet të ishte e para në rajon. Kosova më shumë se kurrë më parë ka nevojë të thyejë ciklin e izolimit. Shteti ynë duhet të jetë në forume shumëpalëshe si ky forum, por duhet të ketë edhe angazhim bilateral”, ka shkruar ai.
“Asnjëherë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur që për më shumë se 7 muaj qeveria të mos e vizitojë Uashingtonin dhe as që një lider kosovar të mos takohet me homologët e tyre amerikanë. Kjo nuk ndodhi as gjatë Asamblesë se Përgjithshme të OKB-së. Nuk i bën Kosovës nder të mbetët së bashku në grup me Vuçiçin, Dodikun dhe Putinin! Përkundrazi është një kambanë alarmi!”, u shpreh më tej Pacolli në Facebook.
“Kryeministri Kurti mori atë që donte. Nga Shtëpia e Bardhë, jo e kuqja, apo e gjelbërta, u vendos në grupin e shteteve që kanë vijë të kuqe nga Shtëpia e Bardhë. Dëm i madh për Kosovën!” ka përfunduar ai. /Shqip.com