Pacientët me diabet që marrin këtë trajtim, kanë më pak shanse të preken nga 10 lloje të kancereve

Sipas një studimi të publikuar të premten, pacientët me diabet të tipit 2 që marrin trajtime GLP-1, të cilat përfshijnë edhe medikamentin Ozempic, kanë një shans më të ulët për të zhvilluar 10 lloje kanceresh të lidhura me obezitetin sesa ata që marrin insulinë dhe ilaçe të tjera për diabetin.
Trajtimet GLP-1 për diabetin e tipit 2 janë në treg për gati 20 vjet. Gjenerata më e re – si Ozempic i Novo Nordisk dhe Mounjaro i Eli Lilly – janë shumë më efektivë në kontrollin e niveleve të sheqerit në gjak dhe në nxitjen e humbjes së peshës.
Në studimin e publikuar në revistën mjekësore JAMA Network Open, studiuesit ekzaminuan të dhënat mjekësore të 1.6 milionë pacientëve me diabet të tipit 2, të cilët nuk kishin histori të mëparshme të 13 llojeve të kancereve të lidhura me obezitetin, duke përfshirë kancerin e fshikëzës së tëmthit dhe kancerin e veshkave.
Studimi nuk specifikoi se cilat ilaçe GLP-1 morën pacientët, por të dhënat ishin për pacientët që merrnin këto barna ose insulinë ose ilaçin e diabetit metformin midis marsit 2005 dhe nëntorit 2018. Ozempic u miratua vetëm nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së në dhjetor 2017, shkruan Reuters, raporton Shqip.com.
Studimi zbuloi se pacientët e trajtuar me terapinë GLP-1 në vend të insulinës “kishin një reduktim të ndjeshëm të rrezikut” në 10 prej atyre kancereve.
Gjetjet janë “provë paraprake të përfitimit të mundshëm” të barnave GLP-1 për parandalimin e kancerit në popullatën me rrezik të lartë, përfunduan studiuesit.
Ata thanë gjithashtu se studimet e gjeneratës së re të këtyre ilaçeve për efektet e tyre parandaluese të kancerit janë të garantuara.
Autorët e studimit nuk raportuan se kishin marrë fonde nga prodhuesit e barnave që tregtojnë këto ilaçe.
Versionet e këtyre ilaçeve që janë miratuar për trajtimin e obezitetit dhe që janë treguar se ndihmojnë pacientët të humbin mesatarisht 20% të peshës së tyre, kanë shpërthyer në popullaritet, duke çuar në fitime rekord për dy kompanitë Novo dhe Lilly.
Lilly’s Mounjaro dhe terapia për humbje peshe Zepbound, si dhe ilaçet rivale të Novo-s, Ozempic dhe Wegovy, tashmë janë duke u studiuar për të parë nëse ato mund të përmirësojnë shëndetin në shumë mënyra të tjera, duke filluar nga varësia ndaj alkoolit.
Në mars, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi medikamentin Wegovy për uljen e rrezikut të goditjes në tru dhe sulmit në zemër tek të rriturit me mbipeshë ose obezë që nuk kanë diabet.
/Shqip.com