Lajme

Osmani viziton qendrën e regjistrimit për refugjatët e luftës në Lituani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ministren  e Punëve të Brendshme të Lituanisë, znj. Agnė Bilotaitė, ka vizituar qendrën e regjistrimit për refugjatët e luftës, ku bashkëbisedoi me refugjatë ukrainas dhe me organizata humanitare të cilat po i dalin në ndihmë refugjatëve, shumica nga të cilët gra dhe fëmijë.

Me këtë rast Osmani ka përmendur përgjigjen efikase dhe njerëzore të shtetit dhe popullit lituanez ndaj popullit ukrainas dhe në këtë kontekst ka përmendur përvojën e ngjashme të popullit tonë para dy dekadash.

“Populli i Kosovës e ka përjetuar ngjashëm tmerrin e luftës, gjenocidit dhe dëbimit me dhunë nga shtëpitë e tyre, prandaj u solidarizuam me ukrainasit, krah të cilëve janë bashkuar të gjithë popujt liridashës të botës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Poashtu, Presidentja Osmani ka vendosur kurorë lulesh në kujtim të dëshmorëve të rënë në përpjekje për ta rikthyer lirinë dhe demokracinë në Lituani, duke kujtuar trimërinë e tyre, e cila hodhi themelet e Lituanisë së sotme liridashëse e demokratike.

Ndërkaq para një grupi akademikësh dhe studentësh të Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike në  Universitetin e Vilniusit, Presidentja Osmani ka diskutuar mbi mbrojtjen e demokracisë. 

Presidentja Osmani gjithashtu ka vizituar qytetin Kaunas në Lituani i cili sivjet është kryeqyteti evropian i kulturës, ku është takuar me kryetarin e Komunës Visvaldas Matijošaitis dhe ka vizituar Muzeun Kombëtar të Artit ku janë shfaqur ekspozita të ndryshme, përfshirë edhe mbi mbijetesën e shtypjes në Kaunas./Shqip.com