Osmani: Vizita në Katar ishte mundësi e shkëlqyer për ta vënë Kosovën në hartën ndërkombëtare të diskutimeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshkuar të shkëlqyer vizitën e saj në Katar, ku ka thënë se ishte mundësi për të vënë Kosovën në hartën ndërkombëtare të diskutimeve për sfidat aktuale globale, si faktor i dëshmuar për paqe dhe stabilitet.
Osmani përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Kosova mund të jetë një vend i vogël në sipërfaqe, por zëri ynë është i fuqishëm dhe historia jonë është e rëndësishme për t’u dëgjuar në çdo cep të botës.
“Përgjatë vizitës, pata mundësi që t’i takoj udhëheqësit e shtetit të Katarit, përfaqësues të shteteve njohëse e jo njohëse, miq të Kosovës dhe shtete me të cilat po punojmë t’i intensifikojmë raportet ndërshtetërore. Në fjalimin përmbyllës në Forumin e Dohas, para qindra pjesëmarrësve nga e gjithë bota, kam paraqitur perspektivën e Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit globale”, ka thënë Osmani.
Presidentja e Kosovës ka treguar se gjatë kësaj vizite ka takuar edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit me të cilët shprehëm gatishmërinë e institucioneve tona për thellim të bashkëpunimit në fushat me pontencial për investim në Kosovë, Fondacionin e Katarit si dhe institute nga vende të ndryshme.
“Asnjë vizitë nuk është e plotë pa diskutime me komunitetin akademik dhe me bashkatdhetarët tanë, prandaj kisha kënaqësinë që t’u drejtohem edhe qindra studiuesve si dhe të bashkëbisedoj me shqiptarët që punojnë e veprojnë në Katar”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Shtetin e Katarit, ku ka marrë pjesë në takime nga zyrtarë të lartë të shtetit, si dhe ka marrë pjesë në Forumin e Dohas, krahas udhëheqësve e përfaqësuesve të vendeve të tjera të botës.
Osmani në edicionin e 20-të të Forumit të Doha në Katar, ka thënë se para jush qëndroj si një refugjate, por po ashtu edhe si një e mbijetuar e një lufte gjenocidale.
“Republika e Kosovës është vendi më i ri në botë. Ne kemi po ashtu edhe një numër të madh të të rinjve. Kosova sot është në paqe dhe është një shtet që e do paqen. Kosova sot është një shtet demokratik”, kishte thënë Osmani./Shqip.com