Osmani tregon se kur do të vendoset reciprociteti me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur edhe për çështjen e reciprocitetit me Serbinë.
E para e vendit është shprehur se reciprociteti me Serbinë po ndodh çdo ditë.
“Reciprociteti me Serbinë po ndodh çdo ditë, kjo po bëhet me veprime konkrete, ka ndodhur në rastin e targave por po ndodh edhe sa i përket proceseve të tjera politike, po ndodh edhe sa i përket zgjedhjeve të 3 prillit” ka thënë Osmani.
Ajo është shprehur se në Kosovë kanë ekzistuar zëra të izoluar që kanë mbështetur propozimin e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Ai propozim ka qenë një shkelje e qartë e sovranitetit tonë, në paragrafin e parë thuhej se Serbia do të organizojë zgjedhjet e saja në Kosovë, pra nuk kërkohej që Kosovës ti bëhej një kërkesë ndërsa në letrën e dërguar OSBE-së thuhej që zgjedhjet do të mbahen në territorin e tyre përfshirë Kosovën e metohi” ka thënë Osmani në një intervistë për ATV.
Po ashtu e para e vendit është shprehur se nëse Kosova do ti merrte për bazë kërcënimet nga Serbia nuk do ta shpallte Pavarësinë e as nuk do të anëtarësohej në ndonjë organizatë ndërkombëtare./Shqip.com