Lajme

Osmani takon zv.presidentin e Parlamentit Evropian, flasin për zhvillimet e fundit në vend

Rainer Wieland dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim zëvendës-presidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland.

Në njoftimin e bërë nga presidenca thuhet se, në takim u bisedua për procesin integrues të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian, si dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për integrimin e Kosovës në BE, ndërsa ka ritheksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë”, theksohet në komunikatë.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka potencuar përkushtimin e palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës për integrim në Bashkimin Evropian, e reflektuar edhe në bashkërendimin e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së.

Tutje, Presidentja Osmani ka folur mbi angazhimin e Republikës së Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

/Shqip.com