Lajme

Osmani takohet me të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë

Presidentja Osmani priti të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, Mirsad Biboviq

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur të premten në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, Mirsad Biboviq.

Në takim, Presidenca njofton se Osmani ka potencuar se dy vendet kanë raporte të mira fqinjësore, të cilat mund të avancohen edhe më tej.

“Po ashtu, ajo vuri në pah edhe afrinë që qytetarët e Kosovës e kanë me Malin e Zi, sa për shkak të lidhjeve familjare, po aq edhe për traditën e kalimit të pushimeve verore në Ulqin dhe në bregdetin malazez”, thuhet në komunikatën për media.

Në këtë takim, thuhet se është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe për rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve për t’i luftuar “tendencat dashakëqia”, të cilat synojnë destabilizimin e rajonit.

“Presidentja Osmani theksoi se malazezët në Kosovë kontribuojnë drejtpërdrejt në diversitetin shoqëror të Republikës së Kosovës dhe se institucionet e Kosovës do të angazhohen gjithnjë për ruajtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre dhe të komuniteteve të tjera në vend”./SHQIP.com