Lajme

Osmani: Serbia të heqë dorë nga përpjekjet për minim të pozitës ndërkombëtare të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për samitin e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara, që po mbahet në Beograd, për çka thotë se Serbia sërish po e keqpërdorë statusin e vendit vëzhgues me synim për ta shtrembëruar të vërtetën për shtetin e Kosovës, njofton Shqip.com.

Sipas saj, për të kontribuuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore midis dy vendeve, Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekjet për të minuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe me fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera.

Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka ka kujtuar se Serbia shkelë parimet themelore të NAM-it qysh nga udhëheqja e kasapit Sllobodan Millosheviq, e vazhdon të dëshmojë se është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar kjo lëvizje.

“Pavarësia e Kosovës është njohur nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të NAM-it. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare”.

“Prandaj ftoj të gjitha shtetet e NAM që nuk kanë njohur Kosovën që të udhëhiqen nga ky interpretim i GJND-së dhe jo nga propaganda e Serbisë e cila rrënjët i ka tek mendësia Millosheviqiane.”, ka shkruar më tej Osmani.

Ajo tutje ka thënë se Republika e Kosovës e vlerëson mbështetjen, të cilën ia kanë dhënë disa vende të NAM-it, në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Në këtë kontekst, shpresoj që vendet pjesëmarrëse në konferencën e NAM-it, në Beograd do t`i refuzojnë qartë përpjekjet e Serbisë për të keqpërdorur konferencën për ndjekjen e agjendave të saj destabilizuese politike kundër Republikës së Kosovës dhe kundër shteteve të tjera në rajonin tone”, thuhet në shkrimin e Osmanit.

Gjatë këtij samiti të sotëm në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, derisa foli për Kosovën, tha se Serbia “po lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial” dhe se “është e përkushtuar për një zgjidhje afatgjate dhe paqësore që ruan sigurinë në rajon”. /Shqip.com