Lajme

Osmani propozon dy data për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është takuar me subjektet politike për të diskutuar lidhur me datën se kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të vendit.

Përmes një konference për media pas takimit, Osmani tha se sipas gjitha gjasave data kur do të mbahen zgjedhjet lokale në veri është 18 dhjetori, por si mundësi është edhe data 11 dhjetor.

“Me të gjitha partitë që ishin prezentë, kërkova vendim rreth datës 18 dhjetor se siç e përmenda është data e fundit e në të njëjtën kohë kjo do t’i lejonte hapësirë më të madhe manovrimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme. Sa të përfundohen këto deklarime, do të ulemi edhe një here me ekipin tonë ligjor dhe pastaj do ta bëjë publik vendimin përfundimtar. Dita tjetër e propozuar është data 11 dhjetor e cila jep më pak hapësirë për manovrimin që i nevojitet KQZ-së. Por, sipas të gjitha gjasave do të shkojmë me datën 18”, tha Osmani.

Osmani pati një kërkesë ndaj partnerëve ndërkombëtar të Kosovës lidhur me procesin e përzgjedhjes së kryetarëve të rinj në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Ne kemi diskutuar me partitë politike që ishin pjesëmarrëse në këtë konsultim, rreth përgatitjeve që duhet t’i bëjë KQZ sepse ka procedura të cilat duhet të respektohen dhe sipas rregullave. Ndërkohë, unë do t’i drejtojë një kërkesë partnerëve tanë ndërkombëtar për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor”.

Tutje, Osmani tha se vendimi final për caktimin e datës do të bëhet sot ose më së largu deri nesër pasi që nesër është afati përfundimtar për këtë caktim.

Sipas Osmanit ligji parasheh që brenda dhjetëditësh nga dorëheqjet e kryetarëve, të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme ndërsa ato duhet të mbahen brenda 30 ose 45 ditësh që nga dorëzimi i dorëheqjeve.

Kujtojmë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka marrë pjesë në këtë takim për shkak që sipas tyre nuk dëshirojnë të jenë pjesë e nismave që thellojnë problemet edhe më tejë.

Kujtojmë se situate në Kosovë është e tensionuar për shkak se serbët lokalë dhe përfaqësuesit e tyre kanë dalur kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e Kosovës. Deputetët e saj tashmë kanë ofruar dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Kryetaret e katër komunave në veri të Kosovës janë në mesin e të vetlarguarve.

Gjykata Themelore në Mitrovicë tashme ka mbetur vetëm me zyrtarë të komunitetit shqiptarë pas dorëheqjes së atyre serbë.

Ndërsa, policët serbë në Policinë e Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre.

Serbët kanë thënë se kjo gjendje do të jetë kështu deri në shfuqizimin e vendimit për targa, si dhe të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe.

/Shqip.com