Lajme

Osmani pritet në audiencë private nga Papa Françesku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në audiencë private nga Papa Françesku në Selinë e Shenjtë.

Kjo u bë e ditur nga vetë Osmani përmes një postimi në Facebook. Osmani tha se ka falënderuar Papën për kujdesin e treguar ndaj Kosovës.

“E lumtur të pritesha në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë. Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë. Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi”, shkroi Osmani.

Tutje, Osmani tha Synimi i Kosovës që të njihet nga Vatikani kontribuon në avancimin e mëtejmë të raporteve shekullore.

“Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”.

Në Vatikan ishte edhe zotëria i parë, Prindon Sadriu si dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

/Shqip.com